Tiranë: MF bllokon pasuritë e organizatave islamike


TIRANË – Ministria e Financave zbulon llogari në emër të disa shoqatave myslimane, të cilat dyshohet se financohen nga organizata terroriste. Mes emrave të shoqatave që kanë hyrë në vendin tonë, mund të ketë shumë kontigjent që i shërbejnë Al-Kaedës. Frika e lindur bëri që Ministria e Financave të ushtrojë kontroll dhe të bllokojë llogaritë rrjedhëse të disave prej tyre.

Bëhet e ditur se me urdhër të Ministrisë së Financave është kontrolluar shoqata "Ringjallja e Trashëgimisë Islamike". Për një periudhë katërvjeçare, pra nga viti 2000 deri në fillim të këtij viti, kjo shoqatë ka qarkulluar 3 milionë e 500 mijë euro. Nuk dihet se si kanë hyrë këto para në emër të kësaj shoqate. Madje, as emrat e personave që kanë dërguar paratë nuk dihen. Ajo që është e vërtetë, është fakti se këto para kanë qarkulluar në emër të kësaj shoqate islamike.

Në emër të kësaj shoqate janë bllokuar disa llogari, ndërsa po punohet për të bërë kontrolle edhe në disa shoqata të tjera, të cilat operojnë në emër të myslimanizmit në vendin tonë. Janë futur nga të gjitha anët e botës. Kanë krijuar në gjykatë shoqatën me emrin e tyre. Ndërkohë që ende nuk është bërë e mundur epërsia e një kontrolli të imtësishëm për to.

Sipas burimeve nga Komiteti i Myslimanëve, bëhet e ditur se të gjitha shoqatat e regjistruara në gjykatë kanë vënë në statusin e tyre të njëjtin program që ka edhe ky komunitet. Në këto kushte, këto shoqata, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të gjithë territorin e vendit tonë, njihen si të dyshimta. Bëhet e ditur se janë mbi 40 shoqata, të cilat hiqen si myslimane dhe bëjnë thirrje në emër të tyre.

Skandalet që ndodhën kohët e fundit brenda besimit mysliman, janë shoqëruar edhe me dukuri të tjera. Burime nga Komuniteti Mysliman bëjnë të ditur se nga ana e tyre po punohet për të vënë në vend nderin e gjithsecilit si dhe për të larguar nga radhët e myslimanizmit të gjithë ata persona, që me dashje duan të fusin frymën e keqe.


Lejet e qëndrimit të sekteve fetare për muajin janar–shkurt 2005

Në total janë 77 shtetas, të cilët kanë aplikuar për leje qëndrimi pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë.

"Arkipsikimi" Tiranë, 1 shtetas
Fetare AEP, 25 shtetas (protestantë vietnamezë)
Kisha Liturane, 2
Lijahona, 4
Motrat "Nënë Tereza", 4
Kisha Katolike, 2
Dëshmitarët e Jehovait, 2
Bahaj, 1
Sadish Shirazi, 3
Fondacioni Humanitar "Katar", 16
Fondacioni "Sema", 13 (shkolla)
Komuniteti i Bashkuar Islamik, 2
Fondacioni "Xhihadi Mysliman", 2


Legjislacion për financat e terrorizmit

Hartimi i legjislacionit të ri për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e krimit të organizuar apo terrorizmit ndërkombëtar, pritet të jetë një armë e fortë në duart e ekspertëve të Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Prokurorisë. Projektligji më i fundit i kaluar në qeveri disa muaj më parë, do të kalojë për miratim nga parlamenti brenda pak kohëve.

Për të zbuluar pronat apo depozitat bankare të personave apo organizatave që dyshohen si terroriste, apo kanë lidhje me rrjetin ndërkombëtar të Al-Kaedas, organet e specializuara shqiptare kanë vendosur marrëdhënie bashkëpunimi edhe me homologët e tyre të koalicionit antiterrorizëm dhe shkëmbejnë prova dhe informacione.

Institucionet shqiptare thonë se janë duke shfrytëzuar të gjitha të dhënat e sjella nga shërbimet sekrete amerikane dhe britanike për personat dhe organizatat islamike të dyshuara për lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.
 0



Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2012 L
RSS kryesore