Tiranë: Kisha katolike përjashtohet nga taksat


Veprimtaria financiare e Kishës Katolike në Shqipëri nuk do të tatohet. Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi dje në emër të qeverisë shqiptare, një marrëveshje me Selinë e Shenjtë mbi disa çështje ekonomike dhe tatimore.

Nunci Apostolik, Arqipeshkvi Xhovani Bulaitis, i cili nënshkroi në emër të Selisë së Shenjtë, ka shprehur mirënjohjen e Kishës Katolike dhe të Papës për bashkëpunimin shumë të mirë me Ministrinë e Financave të Shqipërisë dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila çliron nga detyrimet tatimore Selinë e Shenjtë.

Në marrëveshje parashikohet që Kisha Katolike mund të sigurojë lirisht dhe të marrë ndihma materiale ose të financuara nga besimtarë dhe dhurues edhe jashtë vendit.

Subvencionet financiare të çfarëdolloji dhe çdo e ardhur tjetër e ligjshme nuk do t'i nënshtrohen asnjëlloj takse apo tatimi. Kisha Katolike është e përjashtuar nga taksa mbi pasurinë, ndërtesat në pronësi ose në përdorim të kishës, enteve të saj apo institucioneve të saj kur ato përdoren për veprimtaritë e njohura të kishës dhe jo për arsye fitimi.

Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kishës ose të enteve të saj, të cilat përdoren për veprimtari jo fitimi, janë të përjashtuara nga pagimi i taksës së trashëgimisë ose të kalimit të pasurisë, në rastin e dhurimeve.

Delegacioni i Selisë së Shenjtë përbëhej edhe nga kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Rrok Mirdita dhe arqipeshkvi i Shkodrës, Anxhelo Masafra.
 0

Komente

don korleone 
7 shkurt 2008 - 14:48
He te keqen, ketij i thone shtet...


Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2012 L
RSS kryesore