Skënderaj: Qytetarët kundër hoxhës
e martë, 23 shkurt 2010
Në sheshin "Adem Jashari" të Skënderajt po zhvillohet prej dy ditësh një peticion qytetar, i organizuar nga shoqëria civile me përkrahjen dhe nga këshilltarë të PDK-së, për largimin e hoxhës së Marinës, Kastriot Duka.Nismën e ka mbështetur dhe kreu i komunës, Sami Lushtaku, që së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë nënshkruar peticionin për largimin e hoxhës. “Unë nuk mund t’i ikë asaj që është dëshirë dhe vullnet i qytetarëve. Unë jam i gatshëm çdo herë të jam aty ku është qytetari. Çdo kërkesë e qytetarëve që vjen në Asamblenë Komunale, anëtarët janë të obliguar ta shqyrtojnë dhe të marrin vendim në të mirë të tyre. Me siguri së Kuvendi do ta marrë vendimin për këtë çështje”, ka thënë Lushtaku. Hoxha Kastriot Duka, shtetas i Shqipërisë, është vendosur në fshatin Marinë që pas lufte ndërsa sipas shtypit thuhet se ka ndihmuar në rregullimin e infrastrukturës së fshatit dhe familjet me jetimë. Por nismëtarët e peticionit e akuzojnë për "veprimtari të dyshimta, ekskursione në vende të ndryshme me femrat e fshatit, mysafirë të dyshimtë" etj. 35
Komente |
Lajme të ngjashme
|
24 shkurt 2010 - 02:33
Skenderaj, 23 shkurt – Peticioni i Iniciativës Qytetare të Skenderajt, për largimin e personit, i cili e ka uzurpuar xhaminë e Marinës, në ditën e fundit të nënshkrimit të tij është mbajtur në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.
Rreth mesditës tre bashkëpunëtorë të hoxhës se Marinës dhe Xhemail Duka nga Elbasani i Shqipërisë, kanë tentuar t’i marrin fletët e nënshkruara, por janë penguar nga organizatori. Intervenimi i patrullës së policisë ka penguar shtyrjet mes tyre të mos shndërrohen në përleshje fizike.
Ajnishahe Halimi, drejtuese e organizatës se gruas “Prehja”, njëra nga organizatorët, ka treguar se nga fillimi i nënshkrimit të peticionit ka pasur kërcënime e ofendime, të cilat në fund kanë rezultuar me përpjekje për të marrë fletët e nënshkruara.
“Në vazhdimësi kam marrë kërcënime e ofendime nga njerëzit e hoxhës, i cili edhe vetë personalisht me ka provokuar në mënyra të ndryshme, kurse sot tentuan të na i marrin fletët me nënshkrime, të cilat u desh t’i mbronim duke u përleshur me ta”, ka treguar Halimi.
Ndryshe, sipas organizatorëve, peticioni ka hasur në përkrahje te qytetarët e kësaj komune, të cilët i kanë vënë nënshkrimet e tyre. Disa prej nënshkruesve e kanë parë të arsyeshme që organizatorëve t’ju japin edhe deklarata të gjata përmes të cilave pasqyrojnë gjendjen e tmerrshme në të cilën i ka sjellë ky person me bashkëpunëtorët e tij.
Peticionin publikisht e kanë nënshkruar edhe udhëheqja komunale e Skenderajt, në krye me kryetarin Sami Lushtaku. “Konsideroj së ky është vullnet dhe kërkesë e qytetarëve, të cilës unë nuk mund të mos i bashkohem”, ka deklaruar ai pas nënshkrimit të peticionit.
Ai mandej ka shtuar se çdo kërkesë e qytetarëve që vjen në KK, duhet të shqyrtohet dhe të merret vendim. “Çdo vendim i Kuvendi duhet me çdo kusht të zbatohet, sepse ai është vullneti i popullit”, ka thënë ai i pyetur se çka nëse hoxha i vetemëruar nuk respekton vendimet e Kuvendit.
Halimi ka treguar se peticioni do t’i dorëzohet KK-së dhe ka shprehur bindjen e saj se ai do të vihet në rend dite, në mbledhjen e ardhshme (të premten).
“Rrëfimet e njerëzve të asaj ane janë të tmerrshme dhe tregojnë për gjendjen alarmante që kanë shkaktuar këta njerëz keqpërdorues, andaj intervenimi i shpejtë është më se i domosdoshëm”, ka thënë ajo.
Përcjellja e ngjarjes nga gazetari i ‘Kohës Ditore’, përveç njerëzve të hoxhës, i ka penguar edhe njërit prej policëve, i cili ka kërkuar që të mos fotografohet. Madje pas largimit të dhunuesve, polici ka kërcënuar gazetarin të mos i publikojë fotot. “Nëse i boton këto fotografi ke për të pasur punë me mua”, ka thënë polici me zë kërcënues.
Lidhur me këtë sjellje të policit, numri personal i të cilit është i njohur për gazetën, është njoftuar edhe komandanti i Policisë në Skenderaj.
Përkundër këtij polici, kolegu i tij ka mbrojtur gazetarin nga njerëzit e hoxhës, të cilët po ashtu tentonin ta pengonin atë në punë. Policët kryesisht kanë pasur sjellje dashamirëse me njerëzit e hoxhës, asnjëri nga të cilët nuk u shoqërua në polici edhe pse qenë iniciatorët e konfliktit që kërkoi intervenimin e policisë.
Njëri prej organizatorëve të peticionit ka treguar se të hënën, njëri prej këtyre dhunuesve ka ofenduar dhe sharë aktivistët në prani të policisë, dhe se policia nuk ka intervenuar, megjithëse u është tërhequr vërejtja.
ndiq nyjen
24 shkurt 2010 - 05:39
24 shkurt 2010 - 12:45
26 shkurt 2010 - 19:05
Kuvendi Komunal i Skenderajt ka marrë sot vendim që ta mbyllë xhaminë e fshatit Marinë. Vendimi pritet të ekzekutohet që sot.
Deri në një vendim tjetër të Bashkësisë Islame se çka do të ndodhë me këtë xhami, ajo do të jetë e mbyllur. Gjithashtu, është marrë vendim edhe për largimin e imamit të kësaj xhamie, Kemal Duka, i cili vjen nga Elbasani.
Pas këtij vendimi një grup i banorëve të fshatit Marinë kanë protestuar, duke u zotuar se nuk do të lejojnë largimin e imamit Duka, për arsye se, sipas tyre, imami u ndihmon fshatarëve me mjete financiare dhe ndihma ushqimore.
Ndërsa hoxha nuk ka dashur të përgjigjet qarte nëse do të largohet me vullnet apo jo. Ai ka thënë se banorët këtu e duan, mirëpo nuk do të luftojë më shtetin.
ndiq nyjen
Për këtë disa banorë të Marinës atë e quajnë hero dhe shpëtimtar të të varfërve. Por, ka edhe plotë të tjerë që kanë një mendim tjetër fare për të. Nga këta të fundit, hoxha i Marinës cilësohet si person i dyshimtë dhe i rrezikshëm. Dhe për këtë këta banorë kërkojnë largimin e menjëhershëm të tij.
Të një mendimi të tillë tashmë janë më shumë se pesë mijë banorë të komunës së Skenderajt. Ata kanë dhënë nënshkrimet e tyre në peticionin e Iniciativës Qytetare të Skenderajt. Përmes këtij peticioni, qytetarët kërkojnë largimin me çdo kusht nga xhamia e Marinës, ku mes tjerash e akuzojnë atë për keqpërdorim të xhamisë për aktivitete jofetare.
Njëra ndër organizatorët e këtij peticioni, Ajnishahe Halimi nga OJQ “Prehja” akuzon Kastriot Dukën për dhënie të identitetit të rrejshëm. Sipas saj, askush nuk e di identitetin e vërtetë të tij. Ajo po ashtu beson se brenda mureve të xhamisë së Marinës ushtrohen veprimtari të paligjshme.
“Aty më shumë mund të quhet motel sesa xhami. Dyshojmë që abuzohet seksualisht me vajzat dhe gratë e fshatit. Ka raste kur të vijnë delegacionet nga jashtë vendit dhe ai hoxhë organizon nga dy autobusë me vajza të reja për të shkuar në aeroport e për t’i pritur ata”, thotë drejtoresha e OJQ-së “Prehja”.
Për më shumë, ajo akuzon hoxhën e Marinës për dërgim të grave dhe fëmijëve të fshatit në ekskursione, ndërkohë që, sipas saj, askush nuk di se ku shkojnë ato.
“Organizojnë ekskursione për gra. Ka pasur rast që i kanë dërguar në Turqi, ku kanë qëndruar një muaj. Ndërsa as një fotografi nuk bëhet me arsyetimin se është haram. Ato shkojnë pa përcjellje të askujt. Askush nuk flet çka bëhet në ato ekskursione”, thotë drejtoresha Halimi.
Ajo pohon se arsyeja kryesore e kësaj iniciative të qytetarëve është që të mbrohen të drejtat e grave dhe fëmijëve të atij fshati, pasi që, sipas saj, fshati Marinë është një ndër fshatrat ku ka më së shumti burra të vrarë e të zhdukur.
“Nuk është e rastësishme që ai ka zgjedhur pikërisht Marinën. Në këtë vend ka shumë familje që kanë familjarë të zhdukur gjatë luftës. Ai hoxhë ka më lehtë t’i manipulojë ata. Për 20 euro ai detyron vajzat 4 vjeç që të mbulohen me shami”, shton Halimi.
ndiq nyjen
2 mars 2010 - 18:46
Sot në fshatin Marinë disa kilometra largë qytezës së Skenderajt,inspektorët e komunës, të cilët ishin të shoqëruar edhe Policia,kanë mbyllur xhaminë e fshatit Marinë. Ndërsa disa banorë të Marinës që njihen si përkrahës të imamit nga Shqipëria, Xhemail Duka nuk kanë reaguar ndaj këtij veprimi.
Përkrahësit e imamit nga Shqipëria, Duka kanë thënë se ata asnjë hoxhë tjetër nuk do të pranojnë në xhami. Ndryshe Bashkësia Islame e Kosovës(BIK),ditë më parë ka thënë se kjo xhami nuk është nën juridiksionin e saj.Dhe të gjithë imamët duhet t'u përfillen dispozitave ligjore të BIK-ut.
ndiq nyjen
4 mars 2010 - 19:41
Prishtinë, 3 mars - Autoritetet e Kosovës e kanë arrestuar, e më pas e kanë deportuar për në Shqipëri Kastriot Dukën, imamin e vetëshpallur të xhamisë në Marinë të Skenderajt. Një ditë më parë, nën dyshimet për aktivitete të paligjshme, Inspektorati komunal i Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës e ka mbyllur xhaminë në Marinë.
Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thuhet se Dukës i është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në territorin e Republikës së Kosovës, pasi që ai ka shkelur legjislacionin në fuqi, si dhe në disa raste ka cenuar rendin publik dhe kushtetues të Kosovës, transmeton REL.
“Elementet inkriminuese të vërtetuara edhe me paraqitjet publike të zotit Duka flasin për një ndërrim të arsyes dhe qëllimit për të cilin edhe i është dhënë leje qëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, për të shtuar se zoti Duka së fundmi me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës kompetente ka qenë i shpallur fajtor për shkelje të legjislacionit në drejtim të qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kosovës.
“Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vetë zoti Duka në paraqitjet e tij publike se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovë është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër. Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare e jo të aktiviteteve tjera, të cilat zoti Duka i ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
“Nisur nga këto fakte dhe në bazë të këtij vendimi, Policia e Kosovës sot ka arrestuar dhe ka deportuar në shtetin amë z. Kastriot Duka. Të njëjtit i ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi (Ligji për të Huaj)”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Javën e kaluar Kuvendi Komunal i Skënderajt, nisur nga një peticion i nënshkruar nga 6 mijë qytetarë të kësaj komune, mori një vendim për mbylljen e përkohshme të xhamisë dhe largimin e imamit Duka.
Xhamia në Marinë ishte e vetmja në Kosovë që nuk ishte nën juridiksionin e Bashkësisë Islame, ngjashëm sikur Duka, i cili e ushtroi funksionin e imamit pa bekimin e BI-së. Kastriot Duka në Marinë ka drejtuar edhe shoqatën humanitare Rahma/Mercy.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Skënderaj sot është mbajtur një protestë në shenjë të shprehjes së pakënaqësive për vendimin e mbylljes së përkohshme të xhamisë në fshatin Marinë.
Sipas policisë, në protestën që ka zgjatur rreth 30minuta, kanë marrë pjesë rreth 100 persona. Protesta ka përfunduar e qetë.
ndiq nyjen