
Qela e kishës në fshatin Hajmel është përfshirë nga flakët, duke u djegur e gjitha, por pa viktima në njerëz. Shkarkimi i një rrufeje ka shkaktuar djegien e qelës (shtëpisë së murgeshave) në fshatin Hajmel në rrethin e Shkodrës në orët e parë të ditës së premte.
Burimet nga ky fshat bëjnë të ditur se vetëtimat kanë shkaktuar shkarkim elektrik në ndërtesën e lartë që ndodhet në qendër të fshatit Hajmel, jo shumë larg kishës katolike të këtij fshati. Si rrjedhojë, qela e kishës ose, siç quhet ndryshe, shtëpia e murgeshave, është përfshirë e gjitha nga flakët.
Zjarri i rënë është parë nga njëra prej murgeshave, e cila ka dhënë menjëherë alarmin. Sipas burimeve në vendngjarje, mësohet se në momentin kur ka rënë rrufeja, në qelë nuk ka qenë askush. Si rrjedhojë, në të nuk ka pasur të dëmtuar, në një kohë që dëmet materiale kanë qenë të mëdha.
Shkak për rritjen e dëmeve ka qenë fakti se gjithçka brenda objektit është djegur, ndërsa zjarrfikëset kanë shkuar në vendin e ngjarjes pas rreth 30 minutash, për shkak të distancës së largët dhe rrugës së vështirë për në Hajmel.
Banorët e këtij fshati janë përpjekur ta shuajnë zjarrin me mjete rrethanore, por pa mundur të shpëtojnë asgjë nga shtëpia e murgeshave.
4 korrik 2009 - 13:22