Shkencëtarët rrëzojnë fundbotizmin e 2012-ës
e premte, 16 tetor 2009
Plaku Apolinario Çile Pikstun është lodhur tashmë nga bombardimi me pyetjet për "mbarimin" e kalendarit të majave në 21 dhjetor 2012. Fundja s'është dhe fundi i botës. Apo është?! Përfundimisht nuk është, pohon plaku majan. "Kur u ktheva nga Anglia vjet, më kishin enjtur me këto gjëra." Por me sa duket më keq do t'i shkojnë punët plakut pasi, muajin e ardhshëm, filmi "2012" i Hollivudit do të dalë në kinema me tërmete, shira meteorikë dhe një cunami që flakëron aeroplanmbajtëse mbi Shtëpinë e Bardhë. Në Universitetin Kornel, En Martini, që drejton faqen "Kureshtar? Pyet astronomin" në ndërrjet, thotë se njerëzit janë të frikësuar. "E keqja është se po marrim letra dhe nga nxënës të fillores që na thonë se janë shumë të rinj për të vdekur," thotë Martini. "Kishim p.sh. nënën e dy fëmijëve që kishte frikë se nuk do të rronte për t'i parë ata të rriten." Ndërkaq Çile Pikstuni ynë, majan i Guatemalës, thotë se teoritë për fundin e botës burojnë prej idesh "perëndimore" dhe aspak nga vetë majat. Arkeologët, astronomët dhe vetë majat pohojnë se e vetmja gjë që do të godasë Tokën atë ditë do të jetë një shi meteorik prej pseudofilozofish "new-age", pseudoastronomie, thashethemesh interneti për fundin e botës dhe dokumentarësh të posaçëm si ato të "History Channel"-it që gatuajnë në të njëjtën çorbë "parashikimet" e Nostradamusit me majat dhe shtrojnë pyetje të llojit "A është viti 2012 kur ora kozmike do të shënojë zero ditë, zero shpresë?" "Nëse shkoja në ndonjë komunitet të majave dhe pyesja njerëzit se çfarë do të ndodhë në 2012-ën, s'do t'ia kishin idenë," thotë Hoze Huçimi, arkeolog majan i Jukatanit, në Meksikë. "Fundi i botës?! As që kishin për të më besuar. Kemi të tjera halle këto ditë, si p.sh. shiu që s'po bie." "Bëhet fjalë për një përkujtimore të veçantë të krijimit," thotë Dejvid Stjuarti, specialist në mbishkrimet e majave pranë Universitetit të Teksasit në Ostin, SHBA. "Majat nuk kanë pohuar ndonjëherë se bota do të marrë fund, s'kanë thënë se patjetër do të ndodhë ndonjë gjë e keqe, thjesht kanë shënuar këtë përkujtimore në Përmendoren gjashtë". Përmendorja gjashtë u gjet në një rrënojë të përhumbur gjatë ndërtimit të autorrugës në vitet 1960, dhe për pak sa nuk mbijetoi pasi terreni u asfaltua dhe pjesë të përmendores u grabitën. Ajo që e bën të veçantë është fakti se pjesët e mbetura përmbajnë të barazvlershmen e vitit 2012 dhe mbishkrimi përshkruan diçka që duhet të ndodhë në 2012-ën që ka të bëjë me Bolon Jokten, një nga zotat majanë që lidhen me luftën dhe krijimin. Por arkeologu Guilermo Bernal i Universitetit Autonom Kombëtar të Meksikës i interpreton germat e fundit të ngrëna në mbishkrim si "Ai do të zbresë nga qielli." Mbase duket si diçka e frikshme, por Bernali thotë se mbishkrime të tjera të majave të gjetuara anekënd vendbanimeve të tyre përmbajnë data shumë më larg se viti 2012. Disa prej tyre madje kapin vitin 4772. Bernali vazhdon duke thënë se fundi i botës është një koncept "shumë perëndimor, kristian" i cili po projektohet mbi majat, mbase për shkak se mitet perëndimore kanë shteruar tashmë dhe nevojiten mite të tjera. Fundbotas të tjerë pohojnë se një herë në 25'800 vjet boshti i Tokës luhatet duke ndryshuar referimin yjor për çdo vit dhe një herë në 25'800 vjet Dielli drejtvijon me qendrën e Kashtës së Kumtrit gjatë solsticit dimëror duke arritur pikën më të ulët në horizontin e Tokës. Kjo interpretohet prej tyre se më 21 dhjetor të 2012-ës Dielli do të ngrihet në të njëjtën pikë ku ndodhet pika më e shndritshme e galaksisë sonë. "Pyetja që do t'i bëja këtyre tipave, është: Edhe çfarë?!" thotë Fil Pleiti, astronom që drejton blogun "Bad Astronomy" për revistën "Discover" në ndërrjet. Dhe shton për më tej se as drejtvijimi në fjalë nuk bie saktësisht në vitin 2012 dhe as yjet e largët nuk kanë ndonjë ndikim që të mund të dëmtojë Tokën. "Këta kënaqen duke gjetur çfarëdo të dhëne astronomike që të mund t'ia ngjeshin 2012-ës," shton Pleiti. Përfundimisht tërë ideja e fundit të botës nga majat vjen nga prifti-arkeolog francez Sharl Etien Brasë i Burburgut që studioi tekstet e majave dhe aztekëve të lashtë në vitet 1800. 16
Komente |
Lajme të ngjashme
|
18 tetor 2009 - 11:09
6 janar 2010 - 17:54
eshte shume me i larget.dhe toka ashtu si cdo gje tjeter e ka nje fund po eshoh shum larg
7 janar 2010 - 17:27
1 mars 2010 - 20:10
1 mars 2010 - 21:32
2 mars 2010 - 09:24
18 mars 2010 - 16:41
2 maj 2010 - 11:35
22 shkurt 2011 - 02:06
cdo 5 vjet nga nje fund bote keta mo. kaq shum e urrejne jeten qe shikojn fundin gjithandej???
jo njehere ne 5 vjet njehere ne 6 e paskan la se thonin per 2000 me pas 2006 tash 2012 ma von 2018 e keshtu me radhe......haha sa gallat