Shkencë: Hidhet hapi i parë drejt teletransportit
e enjte, 29 janar 2009 / fronti polar
Dy grupe shkencëtarësh nga universitetet e Merilendit dhe Miçiganit në SHBA, kanë vërtetuar se teletransporti nuk do të jetë dhe për shumë kohë thjesht ëndërr. Ata arritën të teletransportojnë karakteristikat e një atomi A në një tjetër atom B në largësi 1 metër. Atomi A është sjellë në gjendje kuantike duke e bombarduar me impulse mikrovalësh. Më pas, atomet janë goditur me impulse lazer, duke lëshuar secili nga një foton. Fotoni A i ardhur nga atomi ne gjendje kuantike kishte informacion të ndryshëm nga fotoni B në gjendje jo kuantike. Pas këtij eksperimenti, shkencëtarët zbuluan se atomi B kishte fituar vetitë e atomit A. Kjo është përmbledhja e thjeshtuar e eksperimentit. “Në të shkuarën ishin përftuar dukuri teletransporti mes fotoneve dhe atomeve, por gjithmonë me ndërhyrjen e një elementi të tretë nga jashtë. Këtë herë teletransporti është i pastër dhe i realizuar nga dy atome pa asnjë ndihmë”, shprehet shkencëtari Kristofer Monro. Rezultati i këtij studimi është publikuar në revistën “Science” dhe, sipas studiuesve, kjo i hap rrugën ndërtimit të rrjeteve me memorie të lartë kuantike. Gjithashtu, zbulimi mund të ndihmojë në ndërtimin e kompjuterave të ardhshëm kuantikë. Këta lloj kompjuterash jo vetëm që mund të jenë shumë herë më të fuqishëm se ata që përdorim aktualisht, por edhe shumë herë më të shpejtë. Komente
1
Jep koment
|