SHBA: Diktohet oksigjen në formë molekulare në yjësinë e Orionit

SHBA: Diktohet oksigjen në formë molekulare në yjësinë e Orionit Teleskopi gjigant i observatorit "Hershel" në SHBA ka arritur të diktojë dhe të verifikojë për herë të parë se në hapësirë oksigjeni haset dhe në formë molekulare. Zbulimi është bërë me anë të diktuesve të specializuar me rreze infra të kuqe.

Ndërsa atomet e oksigjenit janë të rëndomta në hapësirë, sidomos përreth yjeve masive, forma e tij molekulare, që përbën rreth 20 % të ajrit që thithim, ka qenë deri më sot e paverifikuar nga astronomët.

"Oksigjeni në formë të gaztë u zbulua në vitet 1770, por na janë dashur më shumë se 230 vite për të thënë tashmë me siguri se kjo molekulë e thjeshtë gjendet dhe në hapësirë," thotë Pol Goldsmithi, pjesëtar i NASA-s në projektin e udhëhequr nga ESA në observatorin Hershel.

Astronomët kanë kërkuar për oksigjen në formë molekulare për dhjetëra vite, me balona, por dhe me teleskopë tokësorë e hapësinorë. Në vitin 2007 teleskopi "Odin" nga Suedia, ka raportuar për diktimin e oksigjenit në formë molekulare, por rasti nuk mundi të verifikohej.

Me zbulimin e fundit astronomët pohojnë se oksigjeni gjendet brenda akullit që vesh grimcat e pluhurit hapësinor. Ata mendojnë se oksigjeni i diktuar në mjegullnajën e Orionit është formuar nga ngrohja e grimcave të akullit nga drita e yjeve, ku shndërrimi në ujë ka sjellë në fund çlirimin e molekulave të oksigjenit.

"Kjo shpjegon dhe se ku duhet të ndodhet pjesa tjetër e oksigjenit," vazhdon Goldsmithi. "Por nuk është se kemi gjetur sasi të mëdha dhe ende nuk e kemi të qartë çfarë kanë të veçantë zonat ku e kemi gjetur. Gjithësia ruan ende shumë të fshehta."

Shkencëtarët do të vazhdojnë kërkimin për molekula oksigjeni dhe në zona të tjera të njohura për formimin e yjeve.

"Hersheli" është një mision i rëndësishëm i Agjencisë Hapësinore Evropiane, ku instrumentet shkencore ofrohen nga një konsorcium institutesh evropiane. Teleskopi i misionit ndodhet në Pasadenë të Kalifornisë ku është instaluar me bashkëpunimin e NASA-s.
 8



Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2012 L
RSS kryesore