SHBA: Çpagëzimet tani me tharëse
e shtunë, 17 korrik 2010
Në kuvendin e sivjetmë të organizatës "Ateistët Amerikanë" u krye dhe një meshë çpagëzimi në masë, ku të pranishmëve iu thanë simbolikisht ujërat me të cilat i kishin pagëzuar kur ishin foshnje.Drejtori ligjor i "Ateistëve Amerikanë", Edvin Kagini pohon se prindët që i detyrojnë fëmijët të ndjekin mësime fetare në vend të arsimit po abuzojnë me ta. "Diçka e tillë mund të jetë tejet e rrezikshme. Ata abuzojnë me fëmijët kur iu mësojnë se bota funksionon në mënyrë të ndryshme nga ç'funksionon në të vërtetë." - iu drejtua ai pjesëmarrësve në kuvend. "Dhe për mendimin tim këta njerëz janë duke kryer terrorizëm, janë duke dobësuar vendin tonë dhe kuptimin tonë të shkencës dhe gjërave me të cilat ne mund të mbrojmë veten dhe përparimin. Nëse nuk do të ishin këta idiotë, ne do të kishim kapur yjet që 2000 vjet më parë." Kagini veshur me rrobë murgu duke qëndruar mbi një podium dhe duke folur si predikues i mirëfilltë fetar recitoi disa vargje nga një grup fletësh që mbante në dorë dhe i ftoi pjesëmarrësit të vijnë të çpagëzohen. "Ejani dhe merrni shpirtin e ajrit të ngrohtë që ju heq stigmën dhe ju heq mbetjet e njollës së ujit të pagëzimit," tha Kagini duke recituar disa shprehje shpotitëse në latinisht, ndërsa ndihmësi i tij solli një tharëse të madhe flokësh mbi të cilën shkruante "Arsyeja dhe e vërteta" që shërbeu si instrument i çpagëzimit. Ateistët vazhduan ironinë gjatë ceremonisë duke thënë se besojnë që vërvitja e tharëses së flokëve mbi të pagëzuarin ka të njëjtën vlerë magjike e shpirtërore që ka dhe ceremonia e pagëzimit. Kagini sakaq pohon se numri i të çpagëzuarve është shtuar. "Shumë syresh e konsiderojnë si shaka, por kemi vënë re se është një përvojë që të pastron shpirtin," vazhdon ai. Për më tej Kagini thotë se nuk i trembet faktit nëse dikush fyhet nga veprimet e tij. "Humori është humor dhe kush mund të vendosë se ç'lloj humori është i paligjshëm?", vijon ai, duke pranuar megjithatë se tallja e fesë mund të mos jetë sjellja më e mirë e mundshme "por në shumë raste gjithsesi është përgjigjja e vetme e vërtetë ndaj saj". 5
Komente |
Lajme të ngjashme
|
18 korrik 2010 - 10:31