Prejardhja vullkanike e jetës përforcohet në dritën e analizave të reja
e premte, 17 tetor 2008
Në vitin 1953, studenti amerikan Stenli Miler kreu një eksperiment me anë të të cilit u provua se prej lëndës joorganike, që ka qenë e pranishme në Tokë, mund të krijohet vetiu lëndë organike në kushte të përshtatshme të mjedisit. Eksperimenti i Milerit konsiston në ekspozim ndaj elektriciteti të një përzierjeje uji, metani, hidrogjeni dhe amoniaku, që përbëjnë dhe lëndën fillestare. Përzierja në fjalë e ndodhur nën ndikimin e dritës krijon atypari aminoacidet, bazën organike të jetës. Në vazhdim të këtij eksperimenti, në ditët e sotme, një prej ish-studentëve të Milerit, Xhefri Bada, i cili kish ruajtur kimikatet e përftuara nga eksperimentet e para të vitin 1953, duke rianalizuar përbërjen e tyre me pajisje bashkëkohore, ka zbuluar një gamë më të gjerë lëndore se sa ajo që vetë Mileri kish raportuar para pesëdhjetë vjetësh. Ekipi shkencor i Badës ka identifikuar 22 aminoacide, aty ku Mileri kish pohuar vetëm 11. Përfundimet e reja qarkullojnë në revistën "Science" të 17 tetorit. Ekipi, gjithashtu, ka vënë re se Mileri nuk ka raportuar as përfundimet e tij më të mira, të cilat me radhën e vet vijnë nga një eksperiment i dytë i kryer mbi të njëjtin subjekt, ku përzierjes joorganike i shtohet tashmë dhe avull, në simulim të mjedisit vullkanik ku këto materiale mendohet se kanë ndërvepruar. Eksperimenti i dytë shënon një përmbajtje akoma më të pasur aminoacidesh, të cilat përforcojnë dhe më tej prejardhjen e lëndës organike nga përbërës joorganikë të gjendur mbi vetë planetin e Tokës. 0
Komente |
Lajme të ngjashme
|
18 tetor 2008 - 02:26
15 nëntor 2008 - 13:07