Pogradec: Mitropolisë i shembin murin
e premte, 3 korrik 2009 / dea
Një kontratë e pazbatuar nga drejtuesit e kishës “Ngjallja e Krishtit” në Pogradec është bërë shkak që Mitropolisë t'i shembin murin duke filluar ndërtimin e një objekti privat. Burime pranë Mitropolisë së Shenjtë në Korçë kanë bërë të ditur se për gjithë natën, duke u gdhirë e mërkura, një banor i Pogradecit, pasi ka prishur murin rrethues të kishës ka kufizuar një sipërfaqe trualli në pjesën e pasme të kishës dhe po kryen punimet për të ndërtuar një objekt privat. Ai pohon se me dokumente të rregullta ka blerë një sipërfaqe trualli deri rrëzë mureve të kishës nga pronari i vjetër i saj dhe tani me të drejtën e pronarit po ndërton. Mitropolia ka lajmëruar dhe i është drejtuar për ndihmë institucioneve shtetërore, madje duke bërë dhe kallëzim penal. Kjo kishë është ndërtuar në vitin 1993 në mes të Pogradecit, mbi një truall pjesërisht pronë të kishës dhe tjetra e qytetarëve. Me këta pronarë kisha nënshkroi edhe kontratë për të shlyer pagesën mbi truallin e privatëve, ku u ndërtua objekti. Prej asaj kohe mësohet se kisha për mungesë të fondeve nuk e ka zbatuar kontratën me njërin prej pronarëve të vjetër të truallit. Pasi nuk ka zgjidhur këtë çështje, pronari e shiti truallin, çka u shfrytëzua nga pronari i ri për të nisur ndërtimin. Burime të Bashkisë së Pogradecit konfirmuan faktin se ndërtimi është pa leje dhe janë shkelur ligjet e urbanistikës. Jep koment
|