Planeti ‘Supertokë’ ka sipërfaqe shkëmbore
e enjte, 17 shtator 2009
Të dhënat e detajuara mbi planetin më të vogël të zbuluar ndonjëherë jashtë sistemit tonë diellor, sugjerojnë se ai është një “supertokë” shkëmbore, e ngjashme me tonën, thanë shkencëtarët europianë të mërkurën.I ashtuquajturi “eksoplanet”, zbulimi fillestar i të cilit u njoftua në shkurt, ka një masë pesë herë sa ajo e Tokës, fakt i cili po të kombinohet me rrezen e tij, sugjeron se ka një sipërfaqe solide dhe densitet të ngjashëm me planetin tonë. "Kjo është shkencë në formën më të mahnitshme të saj",- tha astronomi zvicerjan Didier Queloz, lider i grupit të observimeve. Rreth 330 eksoplanete janë zbuluar duke orbituar rreth yjeve të tjerë përveç diellit të sistemit tonë, shumica e të cilëve janë gjigantë të gaztë me karakteristika të ngjashme me Neptunin, i cili ka një masë 17 herë sa ajo e Tokës. Por planeti në qendër të studimit të së mërkurës – i quajtur CoRoT-7b – është ndryshe. Ai orbiton vetëm 2.5 milionë kilometra larg yllit të tij me një rrotullim në çdo 20 orë dhe temperatura e sipërfaqes është midis 1,000 dhe 1,500 gradëve Celsius, që do të thotë se nuk mund të ketë jetë në të. Rrezja e tij është 80 për qind më e madhe se ajo e Tokës. Në raportin e botuar në revistën shkencore Astronomy and Astrophysics, shkencëtarët thanë se zbulimet e tyre e fusnin CoRoT-7b në kategorinë e eksoplanetëve "super-Tokë". Tashmë janë dalluar afro dymbëdhjetë "Supertoka" në hapësirë, por kjo është hera e parë që një densitet i tillë matet në një eksoplanet të vogël, thanë ata. Zbulimet janë të rëndësishme pasi japin evidencën e parë për masën dhe densitetin e një planeti kaq të vogël. Për të bërë matjet e tyre, astronomët përdorën atë që quajtën “mjetin më të mirë në botë të detektimit të eksoplanetëve”, që është kërkuesi planetar me anë të shpejtësive të radarit (HARPS) – ose ndryshe spektrografi i montuar në teleskopin e Observatorit Jugor Europian në La Silla të Kilit. "Megjithëse HARPS ja kalon të gjithëve për detektimin e eksoplanetëve, matjet e CoRoT-7b rezultuan aq të komplikuara së që duhet të përpunonim rreth 70 orë observime”,- tha Francois Bouchy, një tjetër shkencëtar i grupit të gjerë europian që trajtoi studimin. Kolegia tjetër astronome, Artie Hatzes, tha se ky projekt përfaqësonte një "tour de force" për matjet astronomike. 1
Komente |
Lajme të ngjashme
|
20 tetor 2009 - 12:41
ndiq nyjen