Përmet: Kisha uzurpon pallatin e kulturës, reagon bashkia
e shtunë, 11 qershor 2011
Kreu i bashkisë së Përmetit, Edmond Komino, ka kallëzuar në prokurorinë e rrethit përfaqësuesit e organizatës abrahamike KOASH në Përmet, për shkatërrim të pallatit të kulturës "Naim Frashëri". Gjithçka ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, kur kryebashkiaku ka paditur KOASH-in për shkatërrimin dhe ndërrimin e destinacionit të kësaj ndërtese nga pallat kulture, në objekt fetar. Përfaqësuesit e KOASH-it në Përmet shprehen të sigurt për pronësinë mbi të, ndërkohë që të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë rrëzuar pretendimet e KOASH-it. Ndërkaq ndërtesa e pallatit të kulturës “Naim Frashëri”, është shkatërruar plotësisht, duke lënë vetëm muret rrethuese, ndërkohë që në brendësi të saj janë hapur themelet e ndërtimit të një kishe. Organit të akuzës së Përmetit i janë paraqitur prova shkresore dhe pamje të objektit në ndërtim e sipër. Disa ditë më parë, Edmond Komino kishte dërguar policinë bashkiake në vendngjarje, por ajo nuk është lejuar të vizitojë nga brenda punimet, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryebashkiakut në ngritjen e kallëzimit penal. Punimet brenda ndërtesës vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që është ende e pakonfirmuar nëse firma e ndërtimit që kishte marrë përsipër ndërtimin e kishës dhe shkatërrimin e mureve rrethuese të pallatit të kulturës, ka pezulluar veprimtarinë në këtë objekt. Prej 14 vjetësh, mes organizatës abrahamike KOASH dhe bashkisë së Përmetit ekziston konflikt gjyqësor mbi pronësinë e truallit. Pallati i kulturës u ndërtua 50 vjet më parë, dhe Gjykata Kushtetuese, në vitin 2002, ka vendosur në favor të pushtetit vendor për administrimin e këtij objekti, por prej 14 vitesh ky objekt mbahet forcërisht nga organizata abrahamike KOASH e cila drejtohet nga shtetasi grek Anastas Janullatos. “Është një rast unikal, që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të formës së prerë, nuk zbatohen nga Zyra e Përmbarimit”, pohon ish-drejtori i pallatit të kulturës në Përmet Kastriot Bezati, i cili shton se KOASH-i kërkon të vrasë identitetin dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve, duke tentuar të greqizojë Përmetin. 8
Komente |
Lajme të ngjashme
|
11 qershor 2011 - 22:55