Korçë: 700 banorë kundër myftinisë për ndërtimin e një pallati
e shtunë, 21 nëntor 2009
Rreth 700 banorë të pesë pallateve në lagjen 16 të Korçës janë përplasur me Myftininë për pronësinë e sheshit para ndërtesave të tyre. Dje ata nuk e lejuan myftiun dhe disa investues arabë të kryenin matjet për fillimin e ndërtimit të një pallati shumëkatësh. Më pas ata organizuan një protestë masive në sheshin para pallateve të tyre.Në mes të bllokut të pallateve të tyre ndodhet një shesh i madh, çka ka ngjallur lakmi te ndërtuesit. Për vite me radhë, por sidomos gjatë dy muajve të fundit, sheshi është kthyer në mollë sherri mes banorëve dhe Myftinisë së Korçës. Banorët prej vitit 1967 dhe deri në '97-ën e kanë shfrytëzuar këtë hapësirë si pronë publike, pasi ajo shërbente edhe si lulishte. Në vitin 1997 lulishtja u prish dhe aty mbinë kioskat e garazhet. Me firmën e 160 kryefamiljarëve u hartuan disa peticione drejtuar Bashkisë. Në to qytetarët përsërisnin kërkesën për lulishte, mundësisht edhe një kënd lojërash, duke ofruar madje edhe kontributin e tyre financiar. Ky shesh para vitit 1967 ka qenë varrezë e komunitetit mysliman. Meqë qyteti u rrit dhe pallatet e rrethuan atë, u vendos që eshtrat të shpërngulen dhe u kaluan në vendin ku janë sot varrezat publike. Pra Myftinia u kompensua fizikisht për vendin që iu mor e u bë lulishte, por me sa duket kjo gjë nuk është dokumentuar në regjistrat e hipotekës. Në këto rrethana ajo vazhdon të jetë e regjistruar si pronë e Myftinisë. Me aktin e pronësisë, të dalë nga zyra e hipotekës, Myftinia dy muaj më parë kërkoi në drejtorinë e urbanistikës të bashkisë lejen për ndërtimin e një pallati me shumë kate. Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi po ndërmerr veprime konkrete për shitjen e këtij sheshi tek firmat ndërtuese. Nga ana tjetër, banorët e pallateve deklarojnë se nuk do të lejojnë askënd të ndërtojë para dritareve të tyre, mbasi kështu jo vetëm që duhet të heqin dorë përfundimisht nga lulishtja, por edhe apartamentet e tyre do të jenë jashtë kushteve normale të banimit. Myftiu Qazim Muço u shpreh se "Kemi aktin hipotekor, që dëshmon se jemi pronarë të sheshit. Është prona jonë, ndaj askush nuk ka të drejtë të na pengojë të bëjmë me të çfarë të duam." Ndërsa nënkryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, u shpreh se "Myftinia ka akt pronësie mbi sheshin mes pallateve të lagjes 16. Ne do të përpiqemi të hyjmë në marrëveshje me të, që të mundësojmë ndërtimin e lulishtes e të këndit të lojërave për fëmijë". 0
Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
|
Lajme të ngjashme
|