Japoni: Zbërthimi radioaktiv përgjegjës për nxehtësinë e brendshme të Tokës

Japoni: Zbërthimi radioaktiv përgjegjës për nxehtësinë e brendshme të Tokës Më shumë se gjysma e nxehtësisë së brendshme të Tokës shkaktohet nga zbërthimi radioaktiv i materialeve të saj, sipas një studimi të madh ndërkombëtar të publikuar së fundmi në edicionin e korrikut të revistës "Nature Geoscience".

Studimi është kryer në observatorin nëntokësor të neutrinove Kamioka, në Tojamë të Japonisë. Neutrinot janë grimca neutrale që dalin nga reaksionet bërthamore ose nga zbërthimi radioaktiv.

Duke mbledhur matje të zbërthimit radioaktiv, shkencëtarët mundën të vrojtojnë gjeoneutrinot (neutrino nga burime gjeologjike) nga viti 2002 deri në vitin 2009, duke botuar ndërkohë dhe një prezantim paraprak të gjetjeve në vitin 2005 në revistën "Nature".

Kërkimet e mëparshme tregojnë se nxehtësia gjithsej e çliruar nga Toka është në rendin e 44 teravatëve. Me studimin e ri shkencëtarët japonezë zbuluan se rreth 29 teravatë prej tyre vijnë nga zbërthimi radioaktiv i uraniumit, toriumit dhe i materialeve të tjera, duke i atribuuar rreth 50 përqind të nxehtësisë së brendshme të Tokës gjeoneutrinove.

Shkencëtarët vlerësojnë se gjysma tjetër e nxehtësisë së brendshme vjen nga burime parake të mbetura që nga formimi i planetit, si dhe nga burime të tjera nxehtësie. Nxehtësia e brendshme e Tokës është shkaku i lëvizjes së pllakave tektonike, i fushave magnetike, i vullkaneve etj.

"Këto rezultate i ndihmojnë gjeologët të kuptojnë modelin e brendshëm të Tokës," - pohon amerikani Horton-Smith, pjesë e ekipit kërkimor. "Nëse kuptojmë burimin e nxehtësisë së Tokës dhe se nga shkaktohet kjo nxehtësi, do të kemi dhe modele më të qarta për fushën magnetike të planetit".

Veç të tjerash studimi sjell gjithashtu njohuri të reja për rastet kur materialet brenda Tokës pësojnë reaksione bërthamore. Në bazë të studimit, fizikanët kanë caktuar një kufi 5-teravatësh për nxehtësinë e shkaktuar nga këto reaksione, çka do të thotë se nëse do të kishte ndonjë ngrohje gjeologjike nga reaktorët bërthamorë, kjo do të ishte e papërfillshme në krahasim me nxehtësinë e çliruar nga zbërthimi natyral radioaktiv.
 1



Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2012 L
RSS kryesore