Japoni: Energji elektrike nga Hëna

Japoni: Energji elektrike nga Hëna Ndërtuesit japonë "Shimizu" kanë hedhur hapin e parë të projektimit të stacioneve elektrike në... Hënë. Sipas njoftimit në faqen e ndërmarrjes në internet, "Shimizu" synon të përdorë teknologji të përparuara hapësinore për vendosjen e paneleve diellore në sipërfaqen e Hënës me anë të robotëve.

Projekti, i pari i këtij lloji në rang bote, mban emrin "Unaza e Hënës" dhe përfshin krijimin e një "rripi diellor" për 11'000 km përgjatë ekuatorit të Hënës. Rripi i shtruar me panele për grumbullimin e energjisë diellore do të ketë gjerësi fillestare disa km për t'u zgjeruar më vonë në 400 km në të dy anët e vijës ekuatoriale të satelitit.

Përcjellja e energjisë nga panelet do të bëhet me kabllo drejt stacioneve mbledhje-përçuese që me radhën e vet do ta dërgojnë atë drejt Tokës me antena me mikrovalë. Marrësit në Tokë do të jenë rektena të vendosura në pika të ndryshme të rruzullit, të cilët do të drejtojnë gjithashtu rrezatimin mes dy trupave qiellore me sinjalizim të posaçëm.

Projekti parashikon dhe transportin e mjeteve përgjatë ekuatorit të Hënës, si për ngritjen ashtu dhe për mirëmbajtjen e rripit diellor. Kabllot elektrikë do të vendosen nën rrugët transportuese që do të shtrohen për këto arsye.

Sakaq, panelet diellore që do të instalohen në satelitin tonë parashikohen të prodhohen në Hënë me lëndën e parë të saj në stacionet e atjeshme elektrike. Stacionet, madje, do të lëvizin automatikisht gjatë prodhimit të paneleve dhe instalimit të tyre përgjatë vijës ekuatoriale.
 9

Komente

krikëlli
krikëlli 
12 qershor 2010 - 11:16
Interesante janë dhe projektet e tjera të "Shimizu"-t. Njëri prej tyre parashikon ndërtimin e qyteteve oqeanlundruese në platforma me aliazh magnezi. Qyteti ngrihet në formë zambaku të ujit.


Për një sy faqes së tyre (jpn) ndiq nyjen, (ang) ndiq nyjen, projektet e së ardhmes (ang) ndiq nyjen


Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2012 L
RSS kryesore