Dy, asteroidët që sollën fundin e dinozaurëve
e shtunë, 28 gusht 2010
Sipas kërkimeve më të fundit dinozaurët u shfarosën 65 milionë vjet më parë, jo nga një, por nga të paktën dy asteroidë.Më parë shkencëtarët kanë identifikuar një krater të madh në Gjirin e Meksikës si pasojën e ngjarjes fatale që solli fundin e dinozaurëve. Por kohëve të fundit rezultatet flasin për një krater të dytë në Ukrainë. Studimi nga ekipi i prof. Dejvid Xholejt, nga Universiteti i Abërdinit në Skoci botohet në numrin e radhës në revistën "Geology". Krateri Boltish, në Ukrainë është raportuar në literaturën shkencore në vitin 2002, por vetëm tani është bërë datimi i tij për ta ballafaquar me goditjen në Çikshulub të Meksikës. Datimi është kryer me anë të pjalmit dhe farave të bimëve fosile në shtresat e baltës që mbuloi kraterin. Bima e fierit ka vetinë të mbijë menjëherë pas shkatërrimeve dhe shtresat me përmbajtje të lartë të farave të kësaj bime përbëjnë shenjues të mirë të goditjeve meteorike. Gjeologët konstatuan se menjëherë pas goditjes relievi ishte mbuluar nga fieri. Por çka habiti më tepër ekipin gjatë studimit, ishte fakti se në kraterin e Ukrainës kishte dy shtresa me fara të fierit në lartësi 1m nga njëra-tjetra. "Shtresën e dytë e interpretojmë si pasojë të goditjes në Çikshulub" thotë prof. Simon Keli, i Universitetit të Hapur, Skoci, bashkautor i studimit. Çka do të thotë se goditjet në Boltish dhe Çikshulub nuk kanë ndodhur saktësisht në të njëjtën kohë, por me disa mijë vjet diferencë, aq sa shënojnë shtresat e fierit. Studiuesit mendojnë se dinozaurët nuk kanë pasur të bëjnë me vetëm një goditje, por me shi të tërë meteorësh që ka goditur Tokën për mijëra vjet. Shkaqet e këtij bombardimi ende nuk dihen, por sipas prof. Monika Grejdi, astronome në Universitetin e Hapur, Skoci: "Njëra nga mundësitë është se ka ndodhur përplasje e asteroidëve pranë Tokës". Kohët e fundit NASA po zhvillon programin "Roja hapësinore" (Spaceguard), i cili ka për qëllim vrojtimin e asteroidëve në afërsi të Tokës për paralajmërimin në kohë ndaj rreziqeve të mundshme në të ardhmen. 11
Komente |
Lajme të ngjashme
|
15 shkurt 2011 - 00:54