Dhërmi: Kishës i bie rrufeja...
e diel, 16 dhjetor 2007
Vlorë - Dëmtohet kisha e Shën Pandeliut në fshatin Iliaz të Dhërmiut. Banorët e zonës dëshmojnë se kanë ndjerë natën e së enjtes një shpërthim të fortë, që ka sjellë për pasojë dëmtimin e kishës bashkë me ikonat brenda saj.
Ndërkohë burimet policore sqarojnë se gjithçka erdhi pas shkarkimit të një rrufeje në shtyllën e tensionit, ngjitur me kishën dhe jo si pasojë e ndonjë vendosjeje eksplozivi. Version, që për banorët është i papranueshëm.
Sipas banorëve dëmtimi ka ardhur nga vendosja e ndonjë lënde plasëse. "Është vënë lëndë plasëse, pasi edhe zhurma që u dëgjua ishte e fortë, tamam si shpërthim. Pastaj, shikoni edhe dëmtimet",- thonë banorët.
Sipas tyre, nëse kjo është e vërtetë, atëherë veprimi është shumë i ulët, i turpshëm dhe fyes. Madje, arrijnë edhe ta quajnë akt terrorist, pasi askund nuk është parë të hidhen në erë kishat.
Por krejt ndryshe thotë policia. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Dhërmiut, sqarohet se dëmtimi i kishës nuk ka ndodhur nga një vendosje e ndonjë lënde eksplozive.
"Ka qenë një shkarkim i rrufeve duke pasur parasysh dhe kohën shumë të keqe që ka bërë këto ditë në Dhërmi",- thonë burimet policore.
Mbështetur në raportin e ekspertëve, shkarkimi natyror i rrufesë ka ndodhur në shtyllën e tensionit, që është në murin rrethues të kishës, duke u shpërndarë më pas në tërë kishën, brenda e jashtë saj. Forca, sipas policisë ka qenë e madhe, aq sa dëmtimi ka qenë thuajse shkatërrues për kishën.
Pas kësaj, banorët janë shprehur të revoltuar, duke mos e pranuar versionin e policisë. Ata shprehen të sigurt se kisha është dëmtuar qëllimisht. Kisha frekuentohet kryesisht të shtunave e të dielave, ndërkohë për bukurinë e saj dhe zonën e thellë ku është vendosur ka tërhequr edhe shumë vizitorë të huaj. Në zonën e Dhërmiut, sipas statistikave numërohen rreth 25 kisha.