Aktualitet    Shkrime    Video    Thënie    Shpoti    ForumTerminologji    Dijeni
njoftohu | anëtarësohu

Astronomi: Planetë sitokësorë brenda katër viteve të ardhshme


Astronomët mendojnë se një planet i ngjashëm me Tokën, me orbitë përreth një ylli të largët, mund të zbulohet brenda katër viteve të ardhshme. Asnjë prej 300 planetëve jashtëdiellorë të identifikuar deri më sot përtej sistemit tonë nuk mendohet të jetë i përshtatshëm për zhvillimin e jetës, kështu që zbulimi i një planeti të ngjashëm me Tokën, i përbërë nga shkëmbinj dhe jo nga gaze, apo akull i ngrirë, do ta rriste ndjeshëm probabilitetin e zbulimit të një bote të dytë të banueshme.

Një prej shkencëtarëve më në zë në këtë fushë deklaroi para dy ditësh, se zbulimi i një planeti të ngjashëm me Tokën - ndoshta me ujë dhe me orbitë përreth një ylli të afërt - me shumë gjasa do të publikohet së shpejti, pas dy studimesh satelitore të kryera nga Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA) dhe Administrata Kombëtare Amerikane për Hapësirën dhe Aeronautikën (NASA).

"Brenda tre, ose katër vjetësh në shtabin e NATO-s do të mbahet një konferencë shtypi, ku do të na thuhet sa të shpeshtë janë planetët e ngjashëm me Tokën dhe se me ta mësuar një gjë të tillë, do të dimë edhe se cili do të jetë hapi i radhës në kërkimin e planetëve të banueshëm", tha Alen Bos i institutit shkencor "Carnegie" të Uashingtonit.

"Besoj se ekzistenca e planetëve të tjerë të ngjashëm me Tokën është e pashmangshme. Dyshoj se përreth çdo ylli që shohim me të rënë errësira, rrotullohet një planet si Toka. E dimë tashmë që pjesa më e madhe e yjeve kanë planetë", tha dr. Bos në Shoqatën Amerikane për Avancimin e Shkencës në Çikago. "Kemi qenë në gjendje të zbulojmë planetë pak herë më të mëdhenj se Toka, me orbitë rreth yjeve me masë të vogël, por megjithëse nuk janë tamam analogë të planetit tonë, ngjajnë gjithnjë e më shumë me të. Fakti që i kemi zbuluar na bën të kuptojmë se po shohim vetëm majën e ajsbergut".

Shkencëtarët besojnë që më shumë se një e treta e yjeve të ngjashëm me Diellin në galaktikën Rruga e Qumështit kanë planetë me përmasa shumë herë më të mëdha se Toka. Dr. Bos u shpreh se kjo shifër mund të ishte edhe më e madhe për planetët e vegjël me përmasat e Tokës.

"Besoj se kemi të bëjmë me një numër që është shumë pranë njëshit, pra një planet me përmasat e Tokës përreth çdo ylli si dielli", shtoi. Kjo mund të thotë që me shumë gjasa vetëm në galaktikën tonë mund të gjenden rreth 100 miliardë planetë të ngjashëm me Tokën, ndërkohë që gjenden të paktën 100 galaktika në Univers. "Do zbulojmë se numri i tokave është shumë i madh dhe diçka e tillë do të na shtyjë të ndërtojmë teleskopët e gjeneratës së re për të ekzaminuar këto zbulime", sqaroi dr. Bos.

Aktualisht, teleskopët e sotëm tokësorë janë në gjendje të na japin pamje vetëm të planetëve me përmasa shumë më të mëdha se Toka, të cilët janë planetët e ashtuquajtur gjigantët e gazit si Jupiteri, apo gjigantët e akullt si Neptuni - që të dy nuk ofrojnë kushte për zhvillimin e jetës.

Por planetët më të vegjël shkëmborë mund të identifikohen tani për herë të parë falë dy teleskopëve hapësinorë: sateliti "Corot" i ESA-s, i cili nisi grumbullimin e të dhënave vitin e shkuar, dhe misioni "Kepler" i NASA-s, i cili do të lëshohet në hapësirë muajin e ardhshëm. "Do të mbetesha absolutisht i habitur nëse ‘Kepler‘ dhe ‘Corot‘ nuk do të zbulonin planetë të ngjashëm me Tokën, pasi në thelb kemi arritur t‘i zbulojmë që tani. Kështu që s‘besoj se nuk do ta kemi rastin të mos e vërtetojmë ekzistencën e tyre", tha dr. Bos.

Gjatë takimit, shkencëtari vërejti edhe që nëse në galaktikë gjenden 100 miliardë planetë të ngjashëm me Tokën, orbitat e një pjese e të cilave gjenden në distanca që lejojnë praninë e ujit, atëherë duhet të pranojmë se ekzistenca e formave të jetës jashtëtokësore është e pashmangshme. "Në rast se bëhet fjalë për një botë të banueshme që gjendet aty që prej katër, pesë, apo dhjetë miliardë vjetësh, si mund të mendohet se aty nuk është formuar jetë e gjallë. Është si të marrësh një frigorifer, ta heqësh nga priza, t‘i mbyllësh derën e të kthehesh pas nja dy muajsh; do habiteshit nga gjërat që do të shihnit. E tillë është jeta. Analogjia e frigoriferit ndoshta nuk vlen për të përshkruar origjinën e jetës, por jeta është tepër këmbëngulëse, është shumë e vështirë ta ndalësh. Në rast se ekziston një planet, ku prej një milion vitesh gjendet ujë, diçka do të lindë patjetër", vërejti shkencëtari.

Por zbulimi i një planeti me jetë të gjallë nuk është e njëjta gjë me zbulimin e jetës inteligjente. "Është disi më e vështirë të vlerësosh shanset për zbulimin e formave të gjalla inteligjente, ndoshta pasi, kjo formë mund të ekzistojë vetëm përgjatë fragmenteve të caktuara kohore, kur një planet është i banueshëm", tha dr. Bos lidhur me pyetjen për mundësinë e ekzistencës së qenieve inteligjente. "Vërtet mendoni se civilizimi ynë do të zgjasë një miliard vjet? Kjo është shkalla kohore që përdorim në astronomi. Nuk besoj se do të jemi këtu për një miliard vjet. Nga ana tjetër, mund të jenë motivet praktike ato që na kanë penguar të zbulojmë forma të tjera të jetës inteligjente. Ndoshta nuk i kemi zbuluar akoma, pasi nuk i kemi kërkuar në largësinë e duhur dhe në kohëzgjatjen e duhur nëpër galaktikë".

Ndërkaq, dimë se jetë është zhvilluar të paktën në një rast në Univers, por a mund të ketë ndodhur që të ketë pasur dy zanafilla në të njëjtin planet? Kjo është pyetja që ngre një shkencëtar, i cili beson se një formë e dytë "jete e çuditshme", ende për t‘u zbuluar, mund ta ketë pasur zanafillën pikërisht në planetin tonë. Pol Deivis, një fizikan me origjinë britanike, i Universitetit Shtetëror të Arizonës në SHBA, tha gjatë takimit se ideja që jeta në Tokë është zhvilluar vetëm një herë nga një paraardhës i njëjtë mund të jetë e gabuar dhe se një tjetër formë jete mikrobiologjike mund të ekzistojë paralelisht me formën që njohim ne. "Nuk janë zhvilluar kërkime sistematike për forma jete të panjohura për ne. Nuk po flas për ndonjë formë jete të cilën nuk mund ta shohim për motive mistike", tha profesor Deivis, "flasim për jetë mikrobiologjike dhe në këtë realitet, disa organizma të vegjël mund të kenë përbërje të tjera biokimike të rrjedhura nga nja zanafillë e mëpasshme".


Jep koment
Kahu postar nuk bëhet publik.
Hap/mbyll ndijëzat
:);):(:D:ahaha::p:lolo::?:ok::sarkast::fyu::!:irat::qysh:
Faqosja: Lër një rresht hapësirë mes kryeradhësh. Kahet në rrjet kthehen vetiu në nyje.

RSS kryesore Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Emërtimet | Botëkuptimet | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2010 SH