Astronomi: Personazhi Jezus i "Biblës" lindi në 17 qershor, jo në 25 dhjetor
e martë, 9 dhjetor 2008
Një astronom australian ka zgjidhur tashmë datën e shfaqjes së "yllit të Betlehemit" duke arritur sipas analizës shkencore në datën e saktë 17 qershor, për "lindjen e Jezusit", dhe jo në 25 dhjetor siç mbahej deri më sot nga kristianët duke iu uzurpuar festivalin diellor paganëve, gjë që sipas agjencisë AN mund të çojë deri në ndryshimin e datës së "Krishtlindjeve" për kristianët. Sipas mitologjisë kristiane, ylli i Betlehemit ishte ai që udhëhoqi tre magjistarët në vendlindjen e personazhit Jezu Krisht. Në lidhje me këtë, redaktori i revistës "Sky & Space", Dejv Reneki, i cili është dhe astronom ka dhënë sqarime të mëtejshme për studimin duke pohuar se një program i specializuar simulimi iu ka mundësuar astronomëve të përpilojnë një hartë të plotë të qiellit të natës ashtu siç ai dukej mbi 2000 vjet më parë, me ç'rast dhe është zbuluar ngjarja astronomike në fjalë që përkon me çka përmendet në Bibël si "ylli i Betlehemit" që shënoi "lindjen e Jezusit". "Kjo është si një hartë digjitale me anë të së cilës ne mund të lëvizim para-mbrapa në kohë", shpjegon Reneki. Studimet e derimëtashme mbi çështjen e "yllit të Betlehemit" e kanë caktuar lindjen e personazhit Jezus, në kuadër të "Biblës", diku mes viteve 3 p.e.s. dhe 1 e.s. Duke përdorur Mateun në "Dhiatën e re" si pikë referimi, Reneki përcaktoi dukurinë ndërplanetare në fjalë në një datë të saktë në vitin 2 p.e.s. Reneki pohon se "ylli" ka qenë në pamje të plotë në lindje në qiellin e mbrëmjes teksa Afërdita dhe Jupiteri kalonin në yjësinë e Luanit në 17 qershor, të vitit 2 p.e.s. Dy planetet, të parë nga Toka, takonin në atë mënyrë saqë në sy të lirë në qiellin e Tokës dukeshin si një yll në shkëlqim, sipas Renekit. "Quhet yll, por në të vërtetë janë planete", tha ai. "Ishte mjaft e lehtë të ngatërroheshin për yll. Dhe astronomia është shkencë aq e saktë saqë tashmë mund dhe të gjejmë pikën konkrete ku ndodheshin dy planetet në fjalë. Kjo me radhën e vet na thotë se pikërisht dukuria me të cilën kemi të bëjmë ishte dhe ajo që sot quajmë "ylli i Krishtlindjeve", shtoi Reneki. Më parë njerëzit mendonin se "ylli i Krishtlindjeve" mund të ketë qenë ndonjë supernovë, ndonjë yll i panjohur apo edhe kometë. Reneki ndërkaq thotë se duke ditur ndërkohën kur përralla biblike thotë se lindi Jezusi, pikërisht kjo dukuri është e vetmja e shfaqur në qiellin e Tokës që të ketë pasur të bëjë me "yllin e Betlehemit".
Nga: Bota
14
Komente |
Lajme të ngjashme
|
10 dhjetor 2008 - 15:28