Dijeni


Rreth sipërmarrjes dhe drejtpërdorimit të lëndës. Për të kontaktuar me mbarëvajtësit përdorni formularin.


Sipërmarrja

Ateistet.org është një sipërmarrje zbatuese e ateizmit eksplicit (teorik). Si e tillë analizon me sy kritik fetë, mashtrimet fetare, gabimet e arsyetimit dhe ndikimin e pasojat e feve në shoqërinë shqiptare e më gjerë. Sipërmarrja promovon ateizmin dhe mendimin e lirë, mbështet botëkuptimin shkencor dhe konsideron realitetin si pikë referimi për moralin, sjelljen dhe të drejtat e njeriut në shoqëri (duke përfshirë këtu të drejtën e secilit për të qenë i lirë nga ndikimi fetar).

Qëllimi i sipërmarrjes është të përcjellë këndvështrimin ateist në kontekst shkencor, filozofik, shoqëror dhe kudo tjetër ku gjykohet e arsyeshme, duke u mundësuar anëtarëve sjelljen dhe marrjen e lajmeve, artikujve dhe materialeve të tjera që vëzhgojnë, shqyrtojnë, shprehin e zbërthejnë çështje të ateizmit në shoqërinë shqiptare e më gjerë.

Një grup i vogël redaktues punon për mbarëvajtjen e sipërmarrjes dhe për redaktimin e materialit që sillet nga anëtarët.

Sipërmarrja në tërësinë e saj është kritike ndaj fesë dhe kundërshton:

1) mbështetjen shtetërore ndaj cilësdo feje,
2) trajtimin e privilegjuar të bashkësive fetare nga shteti,
3) idenë e gabuar se feja apo fetarët vetëm pse janë fetarë kanë rrjedhimisht autoritet mbi çështje etike, morale apo shoqërore.


Sipërmarrja është një nismë e pavarur nga persona vullnetarë dhe pa përfitim ekonomik. Cilido i interesuar të ndihmojë drejt këtyre synimeve apo të shfrytëzojë funksionet e plota të faqes, mund të anëtarësohet lirisht në faqe duke u bërë pjesë e zhvillimeve.


Parimet e sipërmarrjes

1. Nuk ka "zot". Përpara se të përdoret termi duhet të ketë një përkufizim si çdo fjalë tjetër e kuptimtë e gjuhës. Deri më sot çdo përkufizim i "zotit" dhënë nga literatura fetare ose është vetëzhvlerësues, jokoherent, i pakuptimtë, ose bie në kundërshti me realitetin, faktet empirike dhe ato shkencore.

2. Ateizmi nuk është një doktrinë teiste mes të tjerash, përkundrazi është shi të mospasurit doktrinë teiste a fetare dhe përderisa çdo doktrinë e tillë nuk arrin të provojë logjikisht apo empirikisht pohimet e saj, atëherë ajo është e rremë dhe iluzive. Vetëm fakti se dikush beson se "zoti" ekziston nuk përbën fakt ekzistence e as argument logjik, sesa do të përbënte fakt se Zeusi, zanat, Gishtoja, Kacamicri ekzistojnë vetëm pse dikush beson se ata ekzistojnë. As liria e besimit (ashtu si pasja e opinioneve) nuk nënkupton se gjithçka që besohet është vetiu e vërtetë.

3. Çdo përpjekje për të imponuar doktrina morale, sociale apo politike bazuar mbi besimin në "zot" nuk ka asnjë bazë logjike, nuk përbën imperativ të asnjë forme, është kotësi dhe, për më keq, kotësi e rrezikshme. Ligji duhet të mbështetet në çdo kohë mbi standardin e arsyes dhe të faktit në vlerësimin e supozimeve që burojnë prej dogmave fetare, siç bën dhe për çdo besim, doktrinë apo ideologji tjetër.

Në vijim të kësaj çdo person apo grupim që kërkon ndonjë të drejtë të veçantë apo që përpiqet të diktojë privilegje dhe politika shoqërore mbështetur thjesht mbi besimin në "zot" duhet përjashtimisht dhe detyrimisht së pari:

1) të përkufizojë "zotin",
2) të provojë që "zoti" ekziston dhe
3) të provojë se prej ku e si buron e drejta për dhënien e një privilegji dikujt, apo për ndjekjen e një politike të çfarëdoshme shoqërore e shtetërore vetëm e vetëm prej besimit në "zot".



Drejtpërdorimi

Sipërmarrja ruan të drejtën e rishikimit të udhëzimeve të mëposhtme pas njoftimit paraprak të anëtarëve.

Shkrimet dhe materiali mediatik i sipërmarrjes lejohen të përdoren tërësisht nga individë, veprimtarë, subjekte jotregtare arsimore etj. me kushtin e vetëm që të shoqërohet kudo ku botohet nga një referencë e posaçme me adresën e faqes përkatëse dhe autorin e materialit (nëse ky përmendet).

Përdorimi tregtar i materialit të kësaj sipërmarrjeje, parimisht nuk lejohet dhe duhet sqaruar për çdo rast veçmas me mbarëvajtësit dhe me autorin e materialit. Për sqarime të mëtejshme, lidhuni me mbarëvajtësit me anë të formularit.

Anëtarët që sjellin shkrimet dhe materialin e tyre mediatik në këtë sipërmarrje ruajnë të drejtat e tyre të autorit dhe njëkohësisht pranojnë që materiali përkatës të botohet në format elektronik në faqen ateistet.org dhe nëndarjet e saj.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading